ARDHJE 2011

GRAND FINALE E ÇMIMIT TË ARTIT BASHKËKOHOR

ARDHJE 2011

Mbas një periudhe intensive grumbullimi, shqyrtimi të portfoliove dhe takimesh me artistët, ekipi përzgjedhës dhe kuratorial, i përbërë nga Zef Paci, Tina Finnäs dhe Valentina Koça shpall listën prej shtatë artistësh të talentuar, pjesëmarrës të Grand Finales së Çmimit për Artin Bashkëkohor, ARDHJE 2011. Këtë vit 36 artistë sollën aplikimet e tyre për çmimin “ARDHJE 2011”.

Artistët që do konkurojnë këtë vit për rezidencën artistike në New York City janë:

- Armando Lulaj - Ilir Kaso - Ledia Kostandini - Olson Lamaj - Silva Agostini - Sokol Peçi - Yllka Gjollesha Ardhje 2011 është eventi i radhës që shënon vijimësinë e një aktiviteti prej disa vitesh orientuar drejt ekspozimit, promovimit dhe dokumentimit të krijimtarisë së përzgjedhur të artistëve të rinj në fushën e arteve pamore.

Punët e shtatë artistëve të ekspozuar në këtë edicion të pestë priren të analizojnë fenomene e problematika të sotme herë duke pyetur aktualitetin nëpërmjet mediumeve e herë duke pyetur mediumet për të shkuar tek aktualiteti. Ato nisen nga këndvështrime të ndryshme, herë të impenjuara fort nga ana social-politike e herë më të qashtra, herë duke u nisur me sytë kah realiteti aktual e herë kah e kaluara, duke parë se si pulson ajo herë si nënshtresë nën një kore e herë krejt në sipërfaqe. Thellë thellë duket si një hulumtim mbi një realitet që është apo duket në ndryshim. Ardhje 2011 përvijohet si një sprovë për të reflektuar mbi problematikat dhe mënyrat e shprehjes, të gjitha këto të shfaqura shumëzërash. Punët tregojnë se përvoja jonë ka ardhur duke u pasuruar prej teknologjive, mediumeve e gjuhëve të reja. Ato kërkojnë zgjidhje të ndryshme teknike por edhe ofrojnë mënyra të reja të menduari duke na bërë të rimarrim në konsideratë perceptimin, historitë që i tregojmë vetvetes dhe vetë imazhin si një fenomen aq kompleks sa nuk mund t’i gjenden lehtë sinorët.

Ekspozita e Grand Finales së Çmimit ARDHJE 2011 do të mbahet me dt. 16 Maj 2011 njëkohësisht pranë mjediseve të Galerisë Zeta, tek Hekla Center, përballë Librit Universitar, në orën 18.30 si dhe atyre të Galerisë së Akademisë së Arteve FAP, Rruga Dëshmorët e 4 Shkurtit, nr. 22, në ora 19.00. Në të do të shfaqen një numër i përzgjedhur punimesh dhe projektesh nga artistët finalistë. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës së Grand Finales, në Galerinë FAP, do të shpallet edhe fituesi i Çmimit ARDHJE 2011. Fituesi do të përzgjidhet nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga:

Alessandra Pioselli, kuratore dhe Drejtore e Akademisë së Arteve “Carrara” në Bergamo, Itali. Vladimir Myrtezaj, artist dhe profesor i Atelierit të Multimedias në Akademinë e Arteve në Tiranë, Shqipëri. Stefano Romano, artist, kurator dhe profesor në Universitetin Polis në Tiranë, Shqipëri.

RRETH ÇMIMIT ARDHJE

Që prej fillimit të tij në vitin 2007, Çmimi ARDHJE është kthyer në një veprimtari të rëndësishme kushtuar punës dhe krijimtarisë së artistëve të rinj shqiptarë. I krijuar nga TICA – Instituti i Artit Bashkëkohor, Tiranë, në bashkëpunim me FCS – Fondacionin për Shoqëri Civile në New York, Çmimi ARDHJE është një çmim profesionist për artin bashkëkohor, i cili konsiston në një rezidencë 6 – javore për fituesin, në New York City të SH.B.A të siguruar nga FCS. Çmimi ARDHJE ndërtohet vetëm mbi punën e realizuar në mënyrë të pamvarur nga vetë artistët, dhe me të vetmin qëllim, nxitjen e krijimtarisë së lirë artistike dhe krijimin e kushteve më të mira për ekspozim, prodhim punësh dhe vendosje kontaktesh me profesionistë nga bota.

Që prej vitit 2008, ekspozita e Grand Finales së çmimit ARDHJE organizohet në bashkëpunim me Galerinë Zeta.

Ekspozita u realizua në bashkëpunim me Akademinë e Arteve në Tiranë dhe u mundësua nga mbështetja bujare e:

Fondacionit FAVA – Foundation for Albanian Visual Arts (Fondacioni per Artet Pamore Shqiptare), që ofron mbështetje për artin, artistët dhe iniciativat e pamvarura në Shqipëri.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga 16 – 24 maj 2011.