TCmimi per artin bashkekohor ARDHJE 08

"Pas çdo agimi bota nuk është ajo e një dite më parë"
Perzgjedhur nga Edi Muka dhe Joa Ljungberg

“Tani e kuptoj që realiteti i gjërave nuk është thjesht diçka që ti mund t’ja përcjellësh të tjerëve, por është diçka të cilën duhet ta krijosh. Nga kjo lind kuptimi”

Marrë nga ”Elefanti zhduket” i Haruki Murakamit


Si arrijmë ta perceptojmë botën përreth nesh dhe si i krijojmë marrëdhëniet tona me të? Si arrijmë të shquajmë çfarë është e bukur dhe çfarë është e shëmtuar, çfarë është e madhërishme dhe çfarë është e ulët, apo si arrijmë të kemi empati? Çfarë i jep jetë e formë botës përreth nesh: ngjyrat, tingujt, format, apo thjesht mendja jonë e cila sillet përqark tyre?

Sado të errëta dhe provokuese mund të tingëllojnë fjalët e personazhit të Murakamit, ato mbartin një të vërtetë të pamohueshme brenda tyre: mënyra si ne i japim kuptim gjërave nuk kryhet thjesht përmes përcjelljes së ”realitetit të gjërave”, por përmes ritregimit tonë të këtij realiteti. Gjithçka dhe çdo gjë që ndodh nuk ka kuptim për dhe në vetvehte – kuptimi përftohet kur gjithçka që ndodh ritregohet, perceptohet dhe vendoset në marrëdhënie. Njëkohësisht, kjo është dhe ç’ka e bën realitetin të papërfunduar, dhe pothuajse gjithmonë në ndryshim.

Me “Pas çdo agimi bota nuk është ajo e një dite më parë” artistët e ftuar na japin mundësinë për tu përhumbur në mekanizmin e ndërlikuar të “të bërit të realitetit”. Subjektet ngjethëse dhe loja me dritën në fotot e Bevis Fushës, raportet e çuditëshme arkitektonike të imazheve dhe shtëpive të Heldi Pemës, kërkimet vetjake të Elsa Martinit, fryma egzistenciale në fotot e Leonard Qylafit, misteri i pikturave të Enkelejd Zonjës, klithma e heshtur e instalacioneve të Era Tulës dhe videot poetike të Genti Gjikopullit, i japin jetë një ekspozite drithëruese që na sjell copëza poetike meditimi mbi realitetin përqark nesh.

Ekspozita u mundësua me mbështetjen bujare të: ADMIRAL – Novomatic Group of Companies. Çmimi për Artin Bashkëkohor ”ARDHJE” realizohet në bashkëpunim me Fondacionin për Shoqëri Civile, New York, Akademinë e Arteve të Bukura, dhe Galerinë ZETA, Tiranë, Ambasada Austriake në Tiranë, Instituti Italian i Kulturës, Ambasada Suedeze në Tiranë, dhe Kultura në Lëvizje.

Jury´s description

Me dt. 14.11.2008, gjatë hapjes së edicionit të dytë të Cmimit për Artin Bashkëkohor ”ARDHJE 08”, juria ndërkombëtare përzgjodhi si artist fitues Leonard Qylafin me motivacionin e mëposhtëm:

”Përmes elementeve të përmbajtura fotot e tij zbulojnë strukturat e ndërlikuara të vendeve dhe emocioneve. Të pasura por njëkohësisht të thjeshta, imazhet e Leonard Qylafit janë ndjellëse dhe prekëse. Intimiteti i kujtesës individuale bëhet universal përmes dritës dhe kuriozitetit vëzhgues të syve të tij.
Ne duam gjithashtu të theksojmë se punët e paraqitura në Galerinë Zeta shfaqin aftësinë e tij për të vlerësuar dhe për të reaguar ndaj ndikimeve emocionale dhe estetike të vendeve të caktuara. Këto karakteristika përbëjnë një cilësi që na bën të ndjehemi të sigurtë se Leonardi është kandidati i duhur për të përfituar nga rezidenca në New York City.”

Foto nga Ekspozita: