|
|
Rreth TICA-s
TICA është qendra e parë e artit bashkëkohor e Tiranës, e cila ofron një platformë të përhershme dhe të vazhdueshme, në mbështetje të artistëve shqiptarë dhe shkëmbimit me skenën ndërkombëtare. Gjatë viteve të fundit skena artistike shqiptare ka gjalluar me aktivitete apo përpjekje të përmasave dhe kërkesave të ndryshme. Bienalja e Tiranës ka qenë ngjarja artistike më ambicioze e Shqipërisë, por sidoqoftë, një biennale zhvillohet çdo dy vjet dhe kjo sjell ndërprerje të gjata në skenën artistike, që vuan prej mungesës së vazhdimësisë dhe prej mbështetjes tepër të kufizuar si institucionale ashtu edhe private.
Roli i TICA pra, është që të plotësojë ndjeshëm këtë zbrazëti me anë të një programi të larmishëm dhe të ndryshueshëm, me një vëmendje të posacme ndaj mbështetjes në vazhdimësi të veprimtarive dhe artistëve. Ky program mbështetet nga një strukturë e lehtë dhe e ndryshueshme e TICA, e cila mundëson organizimin e ekspozitave, shfaqje filmash dhe ngjarje performuese si dhe të funksionimit edhe si forum diskutimesh dhe debatesh rreth artit, politikës dhe pushtetit.
Një tjetër funksion i rëndësishëm që TICA ka sjellë për herë të parë në skenën shqiptare është programi tripalësh i rezidencave për artistë nga Shqipëria, Ballkani dhe vende të tjera. Programi i rezidencave është i rëndësishëm pasi është struktura e parë që u ofron mbështetje dhe nxitje artistëve premtues vendas, si dhe mundëson shkëmbimet e ndërsjella në rajonin e Ballkanit dhe më tej, si përgjigje ndaj komunikimit të mangët që ka çuar në shpërdorimin nacionalist të kulturës. Funksione të tjera të rëndësishme të kësaj qendre do të jenë përkrahja e prodhimit artistik, ngritja e një arkivi të artit bashkëkohor në Shqipëri dhe si të një biblioteke të artit bashkëkohor. TICA është një përpjekje për ta ripropozuar kulturën si njërën prej mënyrave më të efektshme të ndërtimit të një ndërgjegjeje dhe botëkuptimi kritik mbi zhvillimet bashkëkohore të shoqërisë shqiptare dhe asaj globale, duke bashkuar të gjitha energjitë, njohjen dhe kontaktet e të gjithë anëtarëve të saj themelues, për të krijuar një platformë të pavarur për një art bashkëkohor të angazhuar në lëmin shoqëror dhe politik. Gjithashtu, një vëmendje e posacme i kushtohet marrëdhënieve gjinore, strukturave dominuese patriarkale dhe problemeve që lindin prej tyre si dhe trajtimit të këtyre cështjeve në praktikën artistike.
Partnerë:
TICA është ngritur në partneritet me INSTITUTIN e BIENALES SË TIRANËS,
1.60 INSURGENTSPACE (www.1-60insurgentspace.org)
THEMELUES:
TICA u themelua bashkërisht prej:
TINA FINNÄS (artiste dhe drejtuese projektesh)
JOA LJUNGBERG (kuratore dhe drejtuese projektesh)
MONICA MELIN (artiste dhe drejtuese projektesh)
EDI MUKA (kurator dhe drejtues projektesh)
GEZIM QENDRO (kurator dhe drejtues projektesh)
STEFANO ROMANO (artist, kurator dhe drejtues projektesh)
View bios/Shih CV
DREJTUES:
TICA aktualisht drejtohet bashkërisht nga:
TINA FINNÄS (artiste dhe drejtuese projektesh)
JOA LJUNGBERG (kuratore dhe drejtuese projektesh)
MONICA MELIN (artiste dhe drejtuese projektesh)
EDI MUKA (kurator dhe drejtues projektesh)
|
|
|